July 24, 2019 marin

DISKUTIMET PËR KURRIKULAT E REJA NË FAKULTET

Sot ishim pjesë e diskutimeve për kurrikulat e reja në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike Tiranë. Në këto kurrikula duhet të mbahen parasysh zhvillimet e shoqërisë, nevojat për kujdes shëndetësor dhe roli i infermierit.

Profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të udhëheqin zgjedhjen e modeleve të ndryshme të kujdesit, duke kërkuar një ekuilibër midis performancës klinike dhe kufizimeve ekonomike. Këto zgjedhje, bazuar në ekonomicitet dhe qëndrueshmëri duhet të identifikojnë profesionistët në ndjekjen e cilësisë më të lartë të kujdesit.

Në vitet e fundit ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në identifikimin e nevojave për kujdes të popullatës. Rritja e frekuencës së sëmundjeve kronike si neurologjike, kardiovaskulare, kanceri etj., është shoqëruar me një nevojë progresive për të ndihmuar pacientin pas daljes nga spitali dhe të nevojës për shtrirje në kohë të ndihmës edhe kur kurat nuk janë më të mundshme.

Në këtë model të ri, qytetari ndeshet me shumëllojshmëri strukturash, ku për fat të keq ende është e rrallë që organizimi shëndetësor të arrijë të zhvillojë dhe aplikojë metoda homogjene të vlerësimit të nevojave dhe mjeteve efektive të integrimit midis spitalit dhe komunitetit.

Për më tepër, ndër sfidat e nisura ka edhe një zhvendosje të vëmendjes nga sëmundja në shëndet dhe kjo kërkon një përdorim më të lartë të praktikës së bazuar në dëshmi shkencore për të arritur dy qëllime: efikasitetin dhe efektivitetin.

OBSH ka kohë që mbështet rëndësinë e kontributit të infermierisë në ndihmë dhe i kushton vëmendje të veçantë konceptit të infermierit të familjes, i cili në  në të ardhmen e afërt, së bashku me mjekun e familjes, do të jenë përgjegjës për shëndetin e familjes.

Infermieri i familjes do të ketë një rol themelor gjatë gjithë procesit të kujdesit, që shkon nga promovimi i shëndetit në parandalimin e sëmundjeve dhe nga rehabilitimi në ndihmë të pacientëve të sëmurë me sëmundje të përhershme.

Infermieri i familjes identifikohet si një figurë kyçe për këshillim, edukim shëndetësor, promovim të shëndetit fizik, mendor dhe social të individit dhe familjes. Është personi, i cili bën identifikimin e faktorëve të sëmundjes dhe raporton raste të profesionistëve të tjerë ose strukturave më të përshtatshme.

Qëllimi kryesor i infermierit të familjes është që shërbimet e infermierisë të jenë të arritshme për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë dhe jo vetëm për disa të privilegjuar, pasi barazia është një parim themelor. Prandaj UISH mbështet përpilimin e kurriulave të reja për të specializuar infermierë të familjes, si një domosdëshmëri e së ardhmes.

Për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike Tiranë, janë në një linjë mendimi e zhvillimi me direktivat e OBSH, pasi në vitin e ri akademik në FSHMT Tiranë do të hapet një program i ri studimi në nivelin e studimeve Master Profesional për: Master Profesional në  Infermieri në Familje.

Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Projektit HAP, të cilët në vazhdimësi ndihmojnë profesionistët e kujdesit shëndetësor në rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit të ofruar prej tyre.

Kjo është një arritje e madhe për infermierinë shqiptare, pasi nëpërmjet këtij programi studimi, ne kthejmë vëmendjen e kujdesit shëndetësor në familje, duke ofruar edukim shëndetësor, promovimin e shëndetit duke e zhvendosur vëmendjen drejt elementëve që ofrojnë një jetë të shëndetshme.

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë do të jetë si gjithmonë nxitësi i zhvillimeve të tilla, për të siguruar dhe mundësuar që cilësia e kujdesit shëndetësor të jetë gjithmonë në përmirësim dhe në përputhje me nevojat e pacientëve dhe popullatës.