JA Control Panle

UISH

Konferenca e dates 12.05.2014 "Dita Nderkombetare e Infermierit"

E-mail Print PDF

Infermieria, profesion pa kufij ...      

''Infermieria shqiptare dhe sfidat e saj drejt Standardeve Evropiane''

Mesazhet e kësaj dite:

  • Shpëto një jetë dhe ti je hero, shpëto qindra jetë dhe ti je infermier!
  • Me prekjen tuaj shëruese, ju e bëni botën një vend më të mirë.
  • Çdo ditë, unë prek një jetë dhe jeta e dikujt, prek timen.
  • Ju jeni i vetmi që ktheni buzëqeshjen në sytë e pacientëve.
  • Të jesh infermier, do të thotë ta shohësh botën ndryshe.
  • E dua infermierinë sepse në cilin profesion tjetër ndodh të shkosh në shtëpi dhe të thuash: Shpëtova një jetë ....

Një profesion pa kufij ... i cili të bën ta shohësh botën ndryshe. Dhe teksa çdo ditë, prek një jetë, jeta e dikujt prek ate tonën. Ky është në të vërtetë profesioni i infermierit, i cili mund të thuhet pa frikë se përbën një art në vetvete. Shpesh ndodh të shkosh në shtëpi, e të thuash: shpëtova një jetë... Janë të gjitha këto që të vijnë ndërmend të paktën një ditë të vitit, çdo 12 Maj, kur të gjithë infermierët e botës përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë. Një event ky i cili u përkujtua si përgjatë gjithë viteve të fundit, edhe në vendin tonë, përmes një aktiviteti special, të organizuar nga Urdhri i Infermierit të Shqipërisë dhe që mblodhi në mjediset e Hotel “Tirana International” përfaqësues të nderuar që ushtrojnë shërbimin infermieror në të gjithë  vendin. Që të gjithë së bashku, përkujtuan pikërisht ditën e tyre, një datë kjo që i përket në fakt përvjetorit të ditëlindjes së Florence Nightingale, femrës që vuri themelet e infermierisë botërore. Në nder të saj, Këshilli Ndërkombëtar i Infermierëve e shpalli atë si një datë të shënuar.

Konference-03-120514-S Konference120514-S Konference-02-120514-S
     

Kujdesi infermieror është një art, dhe si i tillë, ai kërkon përkushtim të plotë dhe përgatitje të fortë, sikurse kërkon  çdo vepër piktori apo skulptori; me ndryshimin që nuk ke të bësh me një telajo apo një mermer të ftohtë, por me trupin njerëzor, tempullin e shpirtit të Zotit. Infermieria është një nga Artet e Bukura, madje më i bukuri i Arteve të Bukura!”, kujtojmë të ketë qënë një nga thëniet kyçe të Florence Nightingale. Më shumë se kurrë, pikërisht më 12 Maj gjen mirënjohje dhe vërtetësi. Në vlerësim të keësaj dite, vetë presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë (UISH), Sabri Skënderi, gjatë aktivitetit të lartpërmendur, do të shprehej se pikërisht, dita e 12 majit shërben për të gëzuar, por në të njëjtën kohë sipas tij, dhe për të kujtuar ata që sakrifikuan në vite për ta ngritur dhe zhvilluar kujdesdin infermieror në shkencë të vërtetë.

“Por edhe për ata që nuk kursyen asgjë për t’u kujdesur për  mijëra njerëz në nevojë, për ata që sot quhen punonjësit e dhimbjes kudo në botë”, shtoi ai. Sikundër ka vënë në dukje , ky takim shërben edhe për t’u njohur me sfidat që na presin, për ta çuar infermierinë shqiptare drejt asaj evropiane.

Në Evropë, në shekullin e 19-të kemi lulëzimin e njohurive në mjekësi “Revolucioni Pasterian dhe koncepti i “asepsi dhe antisepsi” . Shekulli I 19-të është quajtur epoka e Florence  Nightingelit (1820-1910). Personaliteti i saj, ishte faktori kryesor në konsolidimin e profesionit “Infermier” në dy aspekte: në aspektin teorik dhe në aspektin praktik të kujdesjeve infermierore”, vuri gjithashtu në dukje Z.Skënderi. Ndërsa vetë të pranishmit në këtë event special, njësoj si edhe në të gjitha aktivitetet që institucioni i UISH-së ka zhvilluar gjatë këtyre viteve të fundit të ngritjes dhe konsolidimit të tij, ngritën problematikat e nevojës së shtimit të mëtejshëm të cilësisë së shërbimit infermieror, por edhe ato të përmirësimit të nivelit të kujdesit ndaj pacientit. Shoqëruar edhe me kërkesën që vetë punonjësit e këtij kujdesi, të jenë më të mbështetur nga instancat shtetërore, për nevojat që ata paraqesin lidhur me ushtrimin e profesionit të tyre. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë,për të gjitha këto arsye, bën me dije se mbetet i angazhuar në misionin e tij për përmirësimin e sjelljeve etiko-profesionale të profesionistëve të kujdesit infermieror, siç janë infermierët, mamitë, fizio-terapistët, teknikët e laboratorit dhe imazherisë. Por në të njëjtën kohë, edhe për ngritjen e nivelit të tyre profesional në nivelin që kërkon koha, në  nivelin evropian. Dy sfida këto të mëdha për UISH-në, të cilat do të jenë pjesë e punës së tij në të ardhmen. Drejtuesit e tij do të vijojnë të punojnë përmes edukimit të vazhdueshëm për përmirësimin e kujdeseve infermierore, ndërsa kanë hartuar edhe një plan të posaçëm për këtë edukim. “Sot infermierët shqiptarë në kuadër të reformave të reja që po zhvillohen në sektorin shëndetësor por dhe të direktivave evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë, po punojnë me përkushtim për t’i kapërcyer sfidat që na presin dhe për t’iu bashkuar me Europën në mënyrë  që pacientët shqiptarë të gjejnë  në Shqipëri kujdesin e merituar si kudo në botë”, apeloi në fund të aktivitetit për nder të Ditës Ndërkombëtare të Infermierit, presidenti i UISH-së. Në fund të fjales se tij, ai falenderoi të gjithë profesionistet e Kujdesit Shëndetesor në Shqiperi për punën që bëjnë, por edhe për heroizmin dhe sakrificat që tregojnë në ruajtjen të shëndetit të popullit.

Historia e infermierisë shqiptare
1912
- Gra të moshuara përdornin barna për kurim dhe trajtim të të sëmurit.
- Sëmundjet ngjitëse ishin të përhapura.

1914
- U  ngrit  Drejtoria e Përgjithshme Shëndetësore.
- Mungesë e theksuar e mjekëve, farmacistëve, infermiereve, mamive.
- U hap një spital në Vlorë për nevojat e luftës.

1917
- Krijimi i asistencës publike në Korçë e Shkodër nga ushtritë austro-hungareze.

1919
- Kryqi i Kuq Amerikan në Tiranë hapi një "Spital shqiptaro-amerikan" i drejtuar nga Znj. Bruck, dhe më 1932 u quajt "Spitali i përgjithshëm Zog i I-rë".

1921
- Krijohet Kryqi i Kuq Shqiptar dhe njihet nga KK Ndërkombëtar në Gjenevë më 1923.

1923
- Hapet shkolla e parë e infermierëve vizitues.

1926-1933
- Fondacioni “Rockfeller” ndihmon në luftën kundër malaries dhe organizon sesione të veçanta në shumë rrethe të vendit. Përgatiten specialistë dhe hapen ambulanca si në Vlorë, Durrës.

1932-1937
- U hap kursi për agjentë mjekësorë djem në spitalin Zog i I. Ata do të punonin përkrah mjekëve në malësi.
- Iu dha rëndësi kujdesit për foshnjat pasi mortaliteti ishte i lartë. Ambulancat në Tiranë dhe Shkodër kishin për qëllim të përhapnin në popullatë rregullat e higjienës për mirërritjen e fëmijës.
- U hap shkolla e infermiereve në Tiranë ku drejtohej nga 2 franceze.
- U përgatitën rreth 155 mjekë në 1937, mami 29 dhe infermierë 20, një numër ky tepër i vogël.

1939-1944
- Ekzistonin 9 spitale dhe u hapën edhe një spital në Durrës dhe një maternitet në Tiranë.

1944
- U ngrit Ministria e Shëndetësisë
- Kurset kishin një program të studiuar dhe të hartuar mirë dhe i përgjigjeshin nevojave të kohës.
- U formua një seksion shëndetësor i përbërë nga 7 anëtarë, mjekë, infermierë, farmacistë që organizonin të gjithë punën për problemet e ushtrisë.

1946
- Formimi i OBSH, ku morëm pjesë edhe ne si shqiptarë.
- Konferenca e parë shqiptare
- Hapja e kurseve 5-vjeçare për infermier në disa rrethe të vendit.
- Teknikumi mjekësor në Tiranë. Programi i parë i shkollës së mesme profesionale 3-vjeçare.

1948
- Teknikumi mjekësor në Tiranë. Programi i parë i shkollës së mesme profesionale 3-vjeçar.

1952
- Instituti i lartë Mjekësor që më vonë 1957 mori emrin Fakulteti i Mjekësisë.

1954
- Politeknikumi mjekësor në Tiranë 4-vjeçar, pas 7 dhe 8 vjeçares

1957-1959
- Kurse kualifikimi 1-2 vjeçar në disa rrethe
- Një shkollë 5-vjeçare në Tiranë

1968-1980
- Shkolla 3-vjeçare për infermiere pas 8-vjeçares në Tiranë si dhe pranë spitalit kurse 2-vjeçare.
- Kurse pa shkëputje nga puna

1980-1990
- Q.S.U.T., Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë, Instituti i Studimeve Ushtarake, Instituti i Mjekësisë Popullore, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore etj.
- Kurse 1-vjeçare për infermier dhe mami pas shkollës së mesme e barazvlefshme me formimin e mesëm 4 vjeçar profesional.

1992
- Shoqata e Infermierëve dhe mamive të Shqipërisë.

1994
- Shkollat e Larta të Infermierisë me 3.5 vite studimi pas arsimit të mesëm.

2005-2006
- Fakultetet e Infermierisë shtetërore dhe private në shumë rrethe të vendit që përgatitin kuadro të lartë me sistemin e Bolonjës me një program Evropian 3 + 2, bachelor e më pas Master profesional e Shkencor.

2007
- Miratohet ligji për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë. Dhe në vitin 2008 realizohet organizimi i UISH-së në të gjithë Shqipërinë, i cili në mënyre të vazhdueshme ka punuar dhe punon për realizimin e misionit të tij, ruajtjen dhe rritjen e standardeve në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen e pacienteve ndaj kequshtrimit të profesioneve dhe këtë e bën nëpërmjet aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional, përmirësimit të vazhdueshëm të sjelljeve etiko- profesionale.

 

Kërkoni në website

Procedura e Licensimi

Fotoalbum

Vizitorë online

We have 22 guests online