August 26, 2019 marin

NË DITËLINDJEN E “NËNË TEREZËS”

Sot është dita kur lindi Shenjtorja e madhe “Nënë Tereza”, e cila falë përkushtimit humanizmit dhe dashurisë së madhe për njerëzit bëri që puna dhe vepra e saj të përjetësohet në mbarë rruzullin. Një burim i pashtershëm frymëzimi për cilindo që shpirti i përkedhelet nga dashuria për njeriun dhe sedra i imponon të ofrojë përkushtimin dhe kujdesin për të cilin ka nevojë tjetri në krah. Kjo ka qënë Shenjtorja Terezë, e cila u bë nënë për këdo që kishte nevojë dhe idhull për shumë njerëz e profesionistë, ndër të cilët infermierët.

Gjatë rrjedhës së viteve Shqipëria ka parë ditë të vështira dhe ka ndjerë nevojë për këtë përkushtim e dashuri, e cila i është ofruar pa kushte dhe plot sakrifica nga profesionistët e kujdesit, e sidomos nga infermierët. Ashtu sikurse Nënë Tereza punoi për botën mbarë, infermierët tanë punuan e sakrifikuan për njerëzit e tyre, prandaj vlen të përmenden fjalët e saj: Jeta është e kushtueshme, jeta është jetë, lufto për të….

Ky postulat është ende aktual dhe e njeh mirë edhe historia e mjekësisë shqiptare. Është thënie kuptimplotë për ata njerëz që e njohin dhe e respektojnë profesionistin e kudjesit.

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë jo pa shkak, ka zgjedhur imazhin e saj si dhe vargjet e ndjera të Nënë Terezës kushtuar jetës, për ta patur si himn të infermierisë shqiptare, për ta patur profesionitët e kujdesit shëndetësor si shembull dhe burim frymëzimi në çdo hap të rrugëtimit të tyre profesional.

Ne jemi krenarë për Nënë Terezën. Së pari si shqiptarë, së dyti pasi ajo la gjurmën e saj në gjithë historinë e njerëzimit si simbol i dashurisë, përkushtimit, humanizmit, sakrificës dhe vetmohimit.

Simbole këto që na bëri të na përkasin dhe të na motivojnë për të ndjekur shembullin dhe punën e saj në punën tonë të përditshme.

Infermieri dhe mjeku  janë njerëzit më të respektuar në çdo familje shqiptare dhe vlerësohen nga të gjithë. Shembuj pozitivë kemi shumë, e madje dhe jemi përpjekur që me vlerësimet tona të përvitshme t’i promovojmë dhe bëjmë publike, në mënyrë që brezi i ri ta kuptojë dhe të motivohet për të ndjekur rrugën e duhur dhe arritjen më të mirë profesionale duke parë të tillë shembuj.

Fjalët nuk kanë të rreshtur kur bëhet fjalë për Nënë Terezën, ndaj ajo çka duam të mbetet nga ky përkujtim është një faleminderit ndaj figurës, punës dhe përkushtimit të saj, i cili na bën krenarë dhe na motivon përjetësisht ashtu sikurse dhe mbeti i përjetshëm emri i Shenjtores Terezë.

UISH