May 31, 2018 marin

Detyrime të përgjithshme të punëdhënësit

1. Punëdhënësi, për sigurimin e mbrojtjes së punëmarrësve në të gjitha aspektet, që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, merr masat e nevojshme nëpërmjet:

  1. parandalimit të rreziqeve për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale;
  2. informimit dhe formimit profesional të punëmarrësve e të përfaqësuesve të tyre;
  3. organizimit të mbrojtjes kolektive dhe individuale
  4. sigurimit të organizimit të vendit të punës e të mjeteve të nevojshme

2. Punëdhënësi kujdeset për përditësimin e masave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duke marrë parasysh ndryshimet e rrethanave, për përmirësimin e situatave ekzistuese.

3. Punëdhënësi zbaton masat e parashikuara në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni, në bazë të parimeve të përgjithshme të parandalimit, si:

  1. shmangien e rreziqeve;
  2. vlerësimin e rreziqeve, të cilat nuk mund të shmangen;
  3. luftën ndaj rrezikut që në burim;
  4. përshtatjen e procesit të punës me punëmarrësin, veçanërisht për sa i përket konceptimit të vendit të punës, zgjedhjes së pajisjeve të punës, si dhe metodave të punës e të prodhimit, me qëllim që të zbusë, në mënyrë të veçantë, punën njëtrajtësisht të përsëritshme dhe punën e normuar e të zvogëlojë efektet e tyre mbi shëndetin;
  5. përshtatjen e procesit të punës me zhvillimin e teknologjive;
  6. zëvendësimin e asaj që është e rrezikshme me atë që nuk është e rrezikshme, ose me atë që është më pak e rrezikshme;
  7. ndërmarrjen e masave parandaluese, gjithëpërfshirëse dhe koherente, të cilat mbulojnë teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet sociale dhe ndikimin e faktorëve, që lidhen me mjedisin e punës;
  8. dhënien e përparësisë për masat e mbrojtjes kolektive, në raport me ato të mbrojtjes individuale;
  9. dhënien e udhëzimeve të duhura punëmarrësve.

4. Punëdhënësi, pa cenuar dispozitat e tjera të këtij ligji, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarive të ndërmarrjes/institucionit, vlerëson rreziqet për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, përfshirë përzgjedhjen e pajisjeve, të substancave ose preparateve kimike dhe mënyrën e rregullimit të vendeve të punës, në përputhje me masat e duhura mbrojtëse.

5. Pas kryerjes së vlerësimit të përcaktuar në pikën 4 të këtij neni dhe nëse është e nevojshme, punëdhënësit duhet:

  1. të garantojnë një nivel më të mirë të mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve;
  2. të integrohen në tërësinë veprimtarive të ndërmarrjes e të institucionit, si dhe në të gjitha nivelet hierarkike;
  3. të marrin parasysh aftësitë e punëmarrësit në fushën e shëndetit e të sigurisë për çdo detyrë që i caktohet;
  4. të zhvillojnë këshillime me punëmarrësit dhe me përfaqësuesit e tyre, me objekt planifikimin e futjen e teknologjive të reja, duke vënë në dukje pasojat e tyre për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve, pasoja të cilat lidhen me përzgjedhjen e pajisjeve, rregullimin e kushteve të punës dhe ndikimin e kushteve të mjedisit;
  5. të marrin masat e duhura, me qëllim që vetëm punëmarrësit, të cilët kanë marrë udhëzime të përshtatshme, të futen në zonat me rrezik të madh dhe specifik.

6. Në rastin kur punëmarrësit e shumë ndërmarrjeve përdorin të njëjtin vend pune, punëdhënësit duhet:

  1. të bashkëpunojnë për zbatimin e dispozitave për sigurinë, higjienën dhe shëndetin, duke pasur parasysh natyrën e veprimtarisë së punës;
  2. të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre, me qëllim mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve profesionale, duke caktuar një koordinator për sigurinë dhe shëndetin;
  3. të shkëmbejnë reciprokisht informacione për këto rreziqe, për të cilat të vënë në dijeni punëmarrësit përkatës ose përfaqësuesit e tyre.
  4. Masat që marrin punëdhënësit për sigurinë, higjienën dhe shëndetin në punë nuk kanë efekt financiar për punëmarrësit.